Objekte Kulti

Besimi fetar, ashtu si dhe në periudhat e mëvonshme të nacionalizmit nuk ishte një mbartës i drejtë për së drejtë i këtij protonacionalizmi pasi shqiptarët ndaheshin në tre besime fetare. Vetë Ali Pasha duket se ishte bektashi por ai respektonte dhe mbronte dhe besimin ortodoks që ishte një besim që dominonte në Pashallëkun e tij. Gjatë sundimit të tij të gjatë, ai dhuroi fonde dhe mbështeti ndërtimin e objekteve të ndryshme të kultit.

Manastiri i Kolkondasit

Ky manastir është ngritur në shekullin XVIII dhe i është kushtuar Shën Kozmait. Konakët e manastirit kanë qenë dykatësh. Kati i poshtëm përdorej si magazinë, ndërsa në katin e sipërm gjendeshin rreth 60 qeli, tek të cilat banonin murgjit dhe ata që shërbenin në manastir. Gjithashtu disa nga qelitë qenë përshtatur për të fjetur pelegrinët që vinin në manastir. Konakët e manastirit kanë qenë në formë U-je, duke e rrethuar kishën nga të tri anët Kisha e manastirit të “Shën Kozmait” është ndërtuar ndërmjet viteve 1813-1814 me porosi të Ali pashë Tepelenës. Kur ky i fundit hyri në Berat iu kujtua murgu Kozma, prandaj thirri Mitropolitin e Beratit Joasaf II, të cilin e urdhëroi të bënte transferimin e lipsanit të shenjtit dhe të ndërtonte manastirin në kujtim të tij. Mbi portën veriore të kishës gjendet një mbishkrim i gdhendur në gur. “Në vitin 1814, maj 22. U ndërtua ky tempull i Shën Kozmait në kohën e të gjithhirshmit mitropolit të Beratit, zotit Joasaf, në kohën e igumenit të hirshëm gjithoshënar Theoklitit në kohën e kujdestarisë së zotit Nikollë, Dhimitrit dhe Haxhi Jankut dhe të Protosingjel Parthenit, me përpjekjet dhe mundimet e të gjithë të krishterëve të devotshëm klerikë e laikë. Në 1817Kozma me mbikqyrjen e të birit Kapedan Kostës, nga katundi Furkë, e parkia e shenjtit të Vellasë”.Në apsidë jashtë kishës gjendet një mbishkrim që bën fjalë për Ali pashën. “U ndërtua nga themelet ky tempull hyjnor e i hirshëm me nxitjen e të shumëlartit, Vezir Ali pashës nga Tepelena”.20 Sipas gojëdhënës rreth vitit 1775 gjatë udhëtimeve misionare për të predikuar krishtërimin Shën Kozmai vajti në Tepelenë, ku u gjeti strehë tek sarajet e Hankos, së ëmës së Ali pashë Tepelenës. Të nesërmen murgu Kozma e mori djaloshin Ali dhe u ngjitën në malin e Leklit. Aty murgu Kozma i kishte parashikuar të ardhmen Ali pashait: “Se do të bëhej shumë i dëgjuar, një pasha i madh dhe do të sundote gjithë Shqipërinë, do të nënshtronte Prevezën, Pargën dhe Sulin. Në fund do të shkonte me mjekrën e kuqe në Stamboll”. Madje murgu Kozma e këshilloi Aliun që të pajtohej me lekliotët dhe hormovitët.21 Por pashai nuk e pati kuptuar frazën e fundit: “me mjekrën e kuqe në Stamboll”, e cila parashikonte fundin e tij tragjik. Ai nuk mundi ta kuptonte që turqit do ta vrisnin dhe kokën e prerë me mjekrën e gjakosur do t`ia shpinin Sulltanit. Pas disa vitesh, kur Ali pashai po shihte që profecitë e murgut Kozma po realizoheshin, lidhi miqësi me të. Për miqësinë e Ali pashait me murgun Kozma ka dy letra, të cilat janë botuar nga Mitropoliti i Beratit Anthim Aleksudhi.

Letra e parë: “Ju rumë të nahijes së Beratit, myzeqarë dhe vllehë grabovarë, katunde dhe çifligje, ju lajmëroj se ja ku vura një epitrop që të ndreqë manastirin e plakut Kozma; ndihmova edhe unë me aspra e të ndihmoni edhe ju si t`iu thotë dhespoti, me qëllim që të ndreqet ky manastir. Për ata që nuk do të japin ndihmën e tyre do të më mbetet hatëri dhe pastaj do t`i paguajnë dyfish. Sikundër ju urdhëroj ashtu të bëni pas këtij vendimi. Gjirokastër, më 12 shtator 1813”.

Letra e dytë: “Hair duvaxhitë e mi Mitropolit i Beratit Kolë Mitro dhe Haxhi Janko. Ju përshëndes dhe ju kallëzoj se i mora vesh sa më shkruani dhe u informova me anë të igumenit. U gëzova shumë që u kujdesët për plakun Kozma. Ja tek po vinë aty igumeni dhe Nikolla bashkë me kryemjeshtrin dhe të vini të ndreqni edhe kullat e manastirit, i cili të bëhet më i mirë nga të gjitha manastiret. Me ardhjen time aty dëshiroj ta gjej të mbaruar. Pra, të kujdeseni të gjithë që ta ndreqni dhe të gjithë rumët e Beratit, të mëdhenj dhe të vegjël, të ndihmojnë. Po i shkruaj edhe Ibrahim Arapit t`ju ndihmojë në çdo kohë e në çdo punë. Të bëni si ju shkruaj. Ju përshëndes. Në Janinë më 12 shtator 1814”.

Kisha fjetja e Shën Mërisë në Sopik të Pogonit

Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” është kisha kryesore e fshatit Sopik të Pogonit. Kisha është bazilikë e ndërtuar me mur të gurtë të lidhur me llaç dhe gëlqereje. Çatia e kishës është e mbuluar me plloça guri. Kisha ka përmasat 33×13 metra dhe përbëhet nga narteksi, naosi dhe altari. Kisha e “Fjetja e Shën Mërisë” e Sopikut është pikturuar rreth viteve 1920-1921 nga ikonografi Theodhos Jusi nga Hllomoja. Në kishën “Fjetja e Shën Mërisë” së Pogonit gjendet një mbishkrim, i cili bën fjalë se suvatimi i kishës është bërë me shpenzimet e tre priftërinje, që u vranë nga Ali Toska në Kakollako në vitin 1778: “Filloi të suvatohet kjo kishë e mrekullueshme më 11 janar. U përfundua më 4 maj me kontributin e priftërinjve të shumënderuar Papa Kostandinit, Papa Panajotit dhe Papa Janit, të cilët i vrau Ali Toska, në Kakollako, maj 14, 1778”. Ky mbishkrim gjendet i pikturuar mbi portën jugore të kishës “Fjetja e Shën Mërisë” në Sopik të Pogonit. Sipas gojëdhënës të tre priftërinjtë u vranë nga Ali Toska për shkak se kishin strehuar në kishë Ali pashë Tepelenën dhe e kanë shpëtuar duke e nxjerrë jashtë rrethimit, brenda një voze.


Sipas Dhimitër Bedulit këtë fakt e përmend edhe Aravatinoi në librin e tij “Historia e Ali pashë Tepelenës” në faqen 22-23. Aravatinoi pohon se Ali pashë Tepelena gjendej i rrethuar prej ushtrisë së Ahmet Kurt Pashës dhe ka shpëtuar në sajë të ndihmës që i ofroi Papa Jani nga Sopiku. Vetëm se Dhimitër Beduli thotë se tre priftërinjtë u vranë më 14 maj të vitit 1779, madje populli u ka ngritur një këngë, e cila këndohet dhe kërcehet në çdo festë të fshatit. Ali pasha u premtoi sopiqotëve se do tu ndërtonte një kishë me një ikonostas madhështor për nder të tre priftërinjve të vrarë. Ikonostasi i kishës është i gdhendur në dru arre dhe është punuar me shumë mjeshtëri nga Nikolla Dibrani nga fshati Megarova i Manastirit. Gjithashtu edhe ikonat e tjera të mëdha të ikonostasit janë punuar në vitin 1836 ne Prevezë të Greqisë prej një piktori anonim. Bën përjashtim vetëm një ikonë çudibërese e Shën Mërisë, e cila ka një histori interesante. Sipas gojëdhënës një njeri nga Sopiku duke kullotur bagëtitë humbi pelën në pyllin në afërsi ku gjendet sot kisha. Kur u kthye vitin tjetër e gjeti pelën së bashku me mëzin e saj duke kullotur dhe pranë saj një ikonë e Shën Mërisë. Atëherë në atë vend u ngrit një shtyllë prej guri me kamare dhe u vendos ikona. Një ditë tek po kalonte në atë vend Ali pashë Tepelena vuri re sikur Shën Mëria e ndiqte me sy ngado që shkonte. Atëherë pyeti shoqëruesin e tij Jani Konomin: “Përse, or bir, më shikon kështu kjo zonjë e juaj? Jani i tha: Diçka kërkon nga ty. Dhe Ali pashë Tepelena pyeti: Çfarë kërkon nga unë? Jani iu përgjigj: Kërkon ti bësh shtëpinë sepse është pa shtëpi. Ali pashë Tepelena urdhëroi që menjëherë të ndërtohej kisha. Ikona çudibërëse sipër veshjes me argjend ka një mbishkrim “Me kujdesin e zotit Anagnost Ikonomit Papa Janit 1836”.

Kisha e Shën Kollit të Selanit në Pogon

Sipas teologut Dhimitër Beduli kisha e “Shën Kollit të Selanit” në Pogon ka qenë një paraklis shumë e vjetër dhe e pikturuar e tëra. Doktor Zeri, plak nga fshati tregon se përveç afreskeve me karakter fetar, ka pasur në pronaos dhe shënime të ndryshme, për ngjarje historike, sidomos në lidhje me veprimtarinë e Ali pashë Tepelenës. Mjerisht kjo kishë është prishur më 1929 prej një farë H. Dupi, për ta ribërë të re në mënyrë që ti përmendej emri. Në kishën e “Shën Kollit” në Selani të Sopikut në Pogon gjendet një mbishkrim, i cili përmend emrin e Ali pashë Tepelenës: “Viti 1785 e shkruajti Papa Dhimo kur erdhi dhe meshoi bashkë me Papa Thanasin dhe ishte edhe…..në dërstile dhe i nipi Kristoja, në atë kohë ishte dhe Ali Pasha me Veliun të nisur për në Janinë me tre mijë dhe ….të shtunën e madhe, prill 19. Ky mbishkrim është shkruar në murin e kishës së Shën Kollit”.. Gjithashtu në murin e kësaj kishe gjendet ky mbishkrim: “Në kohën kur erdhi prift Jani me jerodhjakon Efthimin, të birin e Papa Dhimës dhe meshoi këtu, atëhere vdiq dhe Dhiko Llazo, u verbua në dërstile të Gjushit dhe vdiq në vitin 1786, prill 20”. Po në kishën e “Shën Kollit” në Selani të Sopikut në Pogon gjendet një mbishkrim, i cili përmend marrjen e Sulit nga Ali pashë Tepelena: “1803 dhjetor 3. Kujtohem kur morën Sulin, vezir Ali Pasha, atëherë kishte dërguar në Sul dhe Zison, të birin e Papa Janit, ekonomit bashkë me argatët nga të gjitha vilajetet. Ishte me 600 argatë dhe i dërgoi Veli Pasha brenda në Kungj me beun që të nxireshin kallogjerin ku ishin mbylur brenda dhe atëhere i vu zjarr barotit Foto Xhavella atje ku bisedonte Zisoja me kallogjerin dhe e dogji brenda bashkë me Kir Ziso bashkë me kallogjerin, ishte edhe Kristoja i Qirixhi Thanasit me Zison dhe u dogj ai brenda së bashku me efendinë e tij dhe kushdo që të meshojë këtu t’i përmendi dhe ka pagën prej perëndisë”. Ky mbishkrim është shkruar në murrin e kishës së Shën Kollit.

Kisha e Shën Premtes në Hllomo të Pogonit

Në pjesën jugore të altarit gjendet një paraklis, në të cilin është vendosur një ikonë e Shën Mërisë. Ikona quhet “Hiri i Madh” dhe është e veshur me argjend. E veçanta e kësaj ikone është se Shën Mëria e mban Krishtin nga ana e kundërt. Në anën e poshtme të ikonës gjendet mbishkrimi: “Me shpenzimet e Qirjakos dhe kontributin e arkimandritit”.
Ikona ka një histori interesante. Fillimisht ka qenë në pronësi të manastirit të Shën Harallambit në Etoli Akarni të Greqisë. Murgjit e manastirit bashkëpunuan me kryengritësit grekë prandaj Ali pashë Tepelena urdhëroi shkatërrimin e manastirit. Ndërkohë murgjit u shpërndanë ku të mundnin. Një mur i quajtur Dionis mori me vete ikonën e Shën Mërisë. Udhës u kap nga njerëzit e Ali pashës dhe u burgos në Janinë. Me ndërhyrjen e Vasiliqisë, gruas së Ali pashës u lirua nga burgu dhe vajti në Stamboll ku filloi të mblidhte ndihma për të rimëkëmbur manastirin. Patriarkana e ndaloi të mblidhte ndihma dhe ia mori ikonën çudibërëse. Me ndihmën e Ambasadës Angleze, murgu Dionis arriti që ta merrte përsëri ikonën. Pas vdekjes së murgut Dionis ikonën e mori Ambasada Angleze, prej së cilës e blenë emigrantët hllomjotë dhe e dërguan në fshatin e tyre më 1830.

Teqe dhe tyrbe

Teqeja e Baba Demir Hanit,e cila ishte e shkatërruar dhe Ali Pasha Tepelena, ringriti mekamin e tij duke vënë një dervish i cili shërbente në teqe. Teqeja e Demir Hanit u dogj nga ushtria greke në 1914. Shqiptarët e diasporës në SH.B.A, me origjinë nga Tepelena mblodhën fondin e nevojshëm dhe ringritën sërish mekamin e Demir Hanit, i cili u prish sërish në vitin 1967.

Përgatiti: Dorian Koçi