Kështjella

Kështjella e Gjirokastrës.

Kështjella mesjetare e Gjirokatrës, ndoshta e rikonstruktuar nga Bajazidi II në vitin 1492, u rindërtua dhe u përshtat krejtësisht me teknikat e përmirësuara të luftës nga Ali Pasha Tepelena. Kjo gjë u realizua nga viti 1812 , kohë në të cilën Gjirokastra ra në duart e tij deri në vitin 1821 që ra nga pushteti. Kreshta mbi të cilën ndodhet kështjella është 500 m e gjatë dhe 80 m e gjerë. Pjesa perëndimore mbaron me një kulë shumë të parregullt me strehime dhe një platformë artilerie të hapur. Në pjesën lindore ndodhen dy kulla më të vogla, gjithashtu shumëkëndore. Anët janë të mbrojtura nga katër “kulla” të tjera të një forme të parregullt, të diktuara nga një forma e bregut të pjerrët. Kështjella ka dy oborre të brendshme, oborrin e poshtëm dhe atë të sipërm.

[Foto nga Edëard Lear, 1848]

Kështjella e Libohovës

Kështjella e Libohovës ka një planimetri thuajse drejtkëndëshe 70 x 50 m. Ajo mbrohet nga 3 kulla poligonale në qoshe dhe me një bastion. Punimi i përsosur me gurë të latuar, kornizat dhe format trung konike të theksuara të kullave krijojnë idenë e madhështisë. E ndërtuar mbi një platformë shkëmbore tregon pushtetin e Ali Pashës, i cili ka mbisunduar në ndërtimin e kësaj kështjelle. Platforma shkëmbore mbi Libohovë e bën atë një pikë të fortë referimi mbi peizazhin e qytezës. Këtë kala, së bashku me sarajin që ajo rrethonte, Ali Pasha mendohet se e ndërtoi më 1796 –1798 për të motrën e tij, Shanishanë varri i së cilës gjendet dhe sot në Libohovë.

Delvinë

Nga kështjella e ndërtuar nga Ali Pasha Tepelena egzistojnë disa rrënoja. Delvina ka qenë qendër Pashallëku, qytet të cilin e kishin administruar më parë babai dhe kushuri i parë i tij Veli dhe Islam Beu.

Kështjella e Porto Palermos

Kalaja e vogël është e vendosur në një pozicion mjaft të bukur në një gadishull në gjirin e vogël tektonik të Porto Palermos (në antikitet e njohur si gjiri i Panormes). Kalaja ndodhet jo larg fshatit të Qeparose dhe ka formë trekëndore. Përmasat e saj janë 150 m x 400 m. Lartësia e mureve arrin në 20 m.

Kalaja e Porto Palermos ndodhet në gjirin me të njëjtin emër në bregun e detit Jon në Shqipërinë e jugut. Kalaja ndodhet mbi një ishull rreth 30 m larg bregut ku rripi i ngushtë ujor midis bregut dhe ishullit është mbushur me dhe e gurë për të realizuar një lidhje tokësore me të.

Kalaja ka formë planimetrike trekëndore me tre bastione të fuqishme nëpër qoshet. Hyrja ndodhet në mesin e murit jugor. Nga ana e detit, midis dy bastioneve një sipërfaqe në formë trapezi është rrethuar me mure të pajisura me frëngji. Pjesa tjetër e kështjellës përbëhet nga një numër i madh ambientesh të mbuluara me qemerë të cilat përfundojnë në pjesën e sipërme me një tarracë të përbashkët. Ambientet shërbenin për strehimin e garnizonit, ndërsa njeri prej tyre shërbente si burg. Në hyrjen e portë kryesore ka pasur një mbishkrim në gjuhën greke, që në vitin 1932 e përktheu në shqip mësuesi Janko Pali. Mbishkrimi në shqip është në formën poetike si më poshtë:

“Ktheni ploret o detarë, hyni në liman pa frikë
Këtu në Panormë zhurma e stuhive është fikë
Dhe mua që më shihni në qiell të çaj retë
Jam e fitores një trofe kështjelle që shkrep rrufetë
Nuset e himariotëve më ngritën me kujdes
Armike për armiqtë, për miqtë besnike për besë!
zili ma pat Faethoni dhe Pirrua nakar
i Tepelenës më sundoi hero Aliu i parë
I plotfuqishëm është zot në të Epirit vende
Dhe gjeneral Assirian
i pakrahasueshëm me shpatë dhe me mënde
Plot pesëdhjetë mijëra nën urdhra ka ushtarë
Pa frikë dhe me plot guxim armiqve ju bën ballë
Tash në Janinë prehet Luani i pa frikë
Prej Athinasë lindur dhe prej Marsit rritë”.

Kështjella e Butrintit

Fortesa drejtkëndore e Ali Pashës në hyrje të kanalit të Vivarit.

Një fortesë drejtëkëndore, paksa e vogël, u ndërtua nga Ali pasha, në një ishull shumë të vogël ngjitur me hyrjen e Vivarit, një milje në drejtim të rrjedhës. Fortesa është një drejtë këndësh me përmasa 34.50 x 27.50, me pamje në drejtim Vivarit. Ajo është e përforcuar nga dy kulla në formë rrethore dhe dy të tjera në formë katrore. Kështjella ka dy porta, një midis kullave, me drejtim nga Kanali I Vivarit dhe një tjetër në murin lindor, duke dhënë mundësi hyrje në ishullin e vogël.

Përgatiti: Dorian Koçi